Vlerësimi i disa vakëfeve të themeluara në Kosovë gjatë periudhës osmane
Nga Xhamia e Çarshisë te vakëfi i fundit osman i vitit 1911: një pasqyrë e vakëfeve të Kosovës, bazuar në 56 vakfije nga arkivat e Ankarasë dhe Stambollit.
9 min lexim

Hyrja
Vakëfi[2] është një institucion shumë i rëndësishëm në botën islame dhe është një nga bazat e kulturës islame, i cili është thellësisht i lidhur me jetën fetare dhe shoqërore të myslimanëve. Shprehja vakëf i referohet një organizate bamirësie të themeluar përmes një procesi ligjor që mund të perkufizohet edhe si “ndarje e përhershme e një pjese të pasurisë nga pronari për çështje fetare, sociale dhe bamirësie” (Günay, 2012). Gjatë periudhës disashekullore të sundimit osman në Kosovë, u themeluan vakëfe të llojllojshme, të cilat patën ndikim në të gjitha sferat e jetës së banorëve vendas. Përveç xhamive dhe medreseve u themeluan edhe spitaleve, u ndërtuan rrugë dhe ura, u themeluan fondacione që gjeneronin të ardhura si dyqane, vakëfe monetare, etj. Pothuajse të gjitha funksionet aktuale që sot kryhen nga shteti, duke përfshirë ndërtimin e rrugëve dhe urave, pagesat për administratorët dhe punonjësit fetarë, e kështu me radhë, menaxhoheshin nga vakëfet.
Vakëfet ishin ura mes qyteteve (Yediyıldız, 2012). Mbi të gjitha, ato ishin vende ku të gjithë banorët e një komuniteti të caktuar takoheshin, punonin dhe siguronin të ardhura materiale. Gjatë studimit vërehet se osmanët fillimisht u përpoqën t’i përqendronin përpjekjet e tyre në ndërtimin e strukturave fetare si xhamive dhe mesxhideve[3]. Si rrjedhojë, mund të thuhet se vakëfet kanë luajtur një rol të rëndësishëm në përhapjen e kulturës islame dhe islamizimin e shqiptarëve.
Gjatë hulumtimeve në Drejtorinë e Vakëfeve në Ankara në fund të vitit 2016, arrita të siguroj një listë me 54 vakfije[4]. Më vonë kam zbuluar edhe dy zeyl vakfiye (vazhdim i vakfijeve të shkruara më parë) të tjera, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 56.[5] Megjithatë, duke pasur parasysh se analizimi i të gjitha këtyre dokumenteve do të nevojiteshin vite, do të mundohemi që përmes përzgjedhjes se disa nga dokumentet e lartëcekura, të japim nje pasqyrë sa më të mirë në lidhje me shumëllojshmërinë e vakëfeve në Kosovë. Përveç tjerash, këtyre dokumenteve u janë bashkangjitur edhe disa dokumente të siguruara nga Arkivi Osman në Stamboll.
Një pasqyrë e vakëfeve të Kosovës
Është e rëndësishme të theksohet fakti se vakëfet ishin pjesë përbërëse e jetës së myslimanëve. Prandaj, për të përmbushur nevojat e tyre fetare dhe shoqërore, ata themeluan vakëfe kudo që shkonin. I tillë është rasti me tregtarët arabë për të cilët pretendohet se erdhen nga Siria dhe u vëndosen në fshatin Mlika dhe ndërtuan xhaminë e parë në Kosovë. Kjo xhami është ndërtuar një shekull para se osmanët dhe fuqitë ballkanike të përballëshin në Betejën e Parë të Kosovës në vitin 1389. Sipas një mbishkrimi në një nga muret e saj, ajo është ndërtuar në vitin 1289 dhe është rinovuar në vitin 1822.
Traditën e ndërtimit të vakëfeve në vendet ku shkonin e ndoqën edhe osmanët. Për të përmbushur nevojat e tyre si dhe nevojat e vendasve, ata ndërtuan vakëfe të llojeve të ndryshme. Si rezultat qytete dhe fshatra u krijuan, ndërsa në anën tjetër u rrit numri i ndërtesave në qytetet që ekzistonin (Pierre, 2008). Institucionet e mëdha që mund të plotësonin të gjitha nevojat e një shoqërie të tilla si xhamitë, medresetë, bibliotekat, banjat publike, shatërvanet dhe institucione të tjera socio-ekonomike të ndërtuara rreth tyre, zakonisht ndërtoheshin në qytete, ndërsa vende të vogla kulti si xhami dhe mesxhide u ndërtuan kryesisht në fshatra. Sipas një studimi të bërë nga Instituti i Historisë Turke, aktualisht në Kosovë ekzistojnë 224 veprat arkitekturore osmane (İbrahimgil & Konuk, 2006). Megjithatë, asnjë analizë e detajuar mbi këto institucione të shkatërruara nuk është bërë deri më sot.
Me institucione të tilla të ndërtuara praktikisht në çdo pjesë të vendit, Kosova konsiderohet si një nga vendet më të pasura të Ballkanit për sa i përket vakëfeve. Xhamia e Çarshisë në Prishtinë është vakëfi i parë osman i themeluar në Kosovë. Gurëthemeli i kësaj ndërtes, funksioni i se cilës vazhdon edhe sot, u vu nga Sulltan Bajaziti I në vitin 1389, ndërsa ndëdrtimi i saj vazhdoi edhe nën sundimin e Sulltan Muratit II dhe përfundoi në priudhën e Sulltan Mehmetit II (Xhamia Sulltan Mehmet Fatih). Sipas një mbishkrimi sipër hyrjes, kjo ndërtesë është renovuar në vitin 1902 (Avdija, 2021).
Ndërsa një fenomen tjetër i themelimit të vakëfeve ishte edhe forma e shndërrimit të kishave në xhami. I tillë ishte rasti me Kishën e Levishës në Prizren. Pas marrjes së qytetit të Prizrenit nga Sulltan Mehmeti II në vitin 1451, kisha u shndërrua në xhami dhe u riemërua si Xhamia Fethiye (Kaleshi, Dokumentet më të vjetra të Vakëfeve në Jugosllavi, 2012). Strukturave që u shndërruan nga kishë në xhami, në përputhje me besimin e osmanëve, iu shtuan minberi, minarja dhe shatërvani. Sulltan Mehmeti II themeloi edhe një kompleks në Prishtinë. Xhamia, Kulla e Sahatit dhe Hamami janë të gjitha pjesë e këtij kompleksi që kanë mbijetuar deri më sot.[6]
Përveç sulltanëve, ishin edhe vendasit ata që themeluan vakëfet e mëdha në Kosovë. I tillë ishte Mehmeti Beu bin Hajredin Beu i njohur ndryshe si Kukli Beu. Ai kishte një numër të madh të vakëfeve si në Kosovë ashtu edhe në vende tjera. Në vakëfet e ti përfshihesh xhami, mullinj, dyqane, karvanserajet, etj (Vakëfet e Kukli Beut). E njohur për ndërtimin e vakëfeve në formë kompleksesh ishin edhe familja e Tahir Pashës nga Prizreni, të cili për dekada me radhë mbanin postin e guvernatorit të Prizrenit. Djemtë e tij, Mehmed Said Pasha, Mahmud Pasha dhe Mehmed Emin Pasha themeluan shumë vakëfe në fillim të shekullit të 19-të. Mehmed Said Pasha ndër të tjera themeloi një medrese, një bibliotekë, pastaj për të sjellur të ardhura për institucionet e lartëcekura ai gjithashtu la si vakëf edhe një furrë buke dhe një dyqan berberi (Vakëfet e Mehmed Said Pashës). Mahmud Pasha la si vakëf një xhami, dy shkolla, katër dyqane, një furrë buke, pesë mullinj dhe 15,000 kuruş (monedhë osmane) (Vakëfet e Mahmud Pashës), ndërsa Mehmet Emin Pasha la si vakëf një xhami, një shatërvan dhe 10,000 kuruş në para (Vakëfet e Mehmet Emin Pashës).
Gjatë dekadave të para të sundimit osmane në Kosovë, llojllojshmëria e vakëfeve ishte shumë e madhe dhe shumica e vakëfeve ishin të tipit külliye (komplekse), të cilat mbulonin të gjitha nëvojat e shoqërisë në një mjedis të caktuar, duke u nisur nga ato fetare dhe shoqërore. Megjithatë, gjatë Reformave të Tanzimatit, numri i vakëfeve të reja të themeluara fillon të bjerë, dhe shumica e atyre që u themeluan ishin fondacione të vogla që gjeneronin të ardhura si; dyqane të vogla dhe fondacione monetare.
Kur analizojmë rrethanat që kanë ndikuar në rënien e numrit të vakëfeve të reja, mund të dalin përfundimet e mëposhtme:
1. Ishte periudha e parë e ardhjes së osmanëve në Ballkan në të cilën u themeluan shumë vakëfe në kuadër të politikave dhe mundësive të shtetit.
2. Veprimtaritë ndërtimore të shtetit tashmë kishin përfunduar në masë të madhe. Prandaj, vakëfet e reja ndërtoheshin vetëm në rast nevoje dhe paralelisht me gjendjen ekonomike të shtetit, e cila gjatë periudhës së fundit kishte filluar të dobësohej.
3. Heqja e müsadere[7] mund të ketë ndikuar në reduktimin e numrit të ndërtimit të vakëfeve të reja (Avdija, 2021).
Gjatë periudhës së fundit shumica e xhamive apo medreseve janë ndërtuar vetëm me kërkesën e qytetarëve ndaj qeverisë osmane. Si shembull mund të permendim Xhaminë Hamidiye në Mitrovicë . Kjo xhami është ndërtuar me kërkesë të muhaxhirëve të ardhur në qytetin e Mitrovicës pas luftës osmano-ruse të viteve 1877-1878 (Xhamija Hamidije).
Ndërmjet viteve 1877 dhe 1908, numri i vakëfeve të ndërtuara në Kosovë është rritur shumë për dallim nga periudha pararendëse, duke arritur në gjithsej 55 sosh. Megjithatë, ka dallime të rëndësishme ndërmjet këtyre vakëfeve dhe atyre të krijuara në vitet e mëparshme. Gjatë kësaj periudhe vakëfet e vogla zëvendësuan komplekset e mëdha, që është një nga kontrastet më të dukshme. Dyqanet dhe fondet monetare, përveç xhamive, ishin vakëfet më të përhapura gjatë kësaj periudhe kohore (Avdija, 2021). Këto institucione që gjenerojnë të ardhura materiale si duket u themeluan për të mbuluar shpenzimet e vakëfeve të themeluara në periudhat e mëhershme, duke përfshirë këtu pagesat e imamëve dhe zyrtarëve të tjerë, mirëmbajtja e xhamive, medreseve, sahatkullave, etj.
Disa vakëfë janë krijuar në të njëjtin vit dhe për të njëjtin qëllim nga anëtarët e së njëjtës familje, si në rastin e një familjeje nga fshati Jezerce[8] afër Prishtinës. Në vitin 1906, dy vëllezër, Ahmedi dhe Mehmedi, themeluan nga një vakëf. Për të siguruar të ardhura për xhaminë e sapondërtuar në fshatin e tyre të lindjes në Jezerce, Mehmedi la vakëf një mulli (Vakfija e Mehmed bin Halil, 1906) ndërsa Ahmedi një dyqan (Vakfija e Ahmed bin Halil, 1906). Kishte situata kur njerëz të ndryshëm grumbullonin shumë të caktuar parash me qëllimin e themelimit të ndonjë vakëfi. Selim Aga ibn Haxh Abdullah, Hasan Aga ibn Molla Junus, Usta Bajram bin Haxh Abdurrahman dhe Xhafer Aga ibn Dervish Bajrami që vinin nga familje të ndryshme mblodhen një shumë parash prej 1000 kurush dhe themeluan një vakëf kolektiv. Qëllimi i themelimit të këtij vakëfi ishte mbulimi i shpenzimeve të Xhamisë së Mëhalles Ramazan në Prizren (Abdullah, Junus, Abdurrahman, & Bajram, 1891).
Tradita e themelimit të vakëfeve në Kosovë vazhdoi përgjatë tërë periudhës osmane. Ejub bin Jashar ibn Sheih Adem themeloi vakëfin e fundit osman në Kosovë më 24 gusht 1911. Ky ishte një vakëf monetar dhe ishte themeluar me qëllimin e mbulimit të shpenzimeve të xhamisë së sapondërtuar në fshatin Bullugraxhë afër Kaçanikut (Vakfija Ejub bin Jashar ibn Sheih Adem, 1911).
Për të ofruar një shpjegim gjithëpërfshirës për shumëllojshmërinë e vakëfeve, ne kemi marrë disa shembuj prej vakëfeve të themeluara në Kosovë, duke filluar nga më të hershmet deri tek më të fundit. Këto vakëfe, sipas mënyrës së themelimit, i kemi ndarë në dy kategori: vakëfe të themeluara drejtpërdrejt dhe vakëfe të themeluara më anë të testamentit. Gjithashtu një e veçantë tjetër e këtyre vakëfeve është se gjatë përzgjedhjes jemi munduar të përfshijmë vakëfe të themeluara nga njerëz me pozita të ndryshme shtetërore, duke filluar me sulltanët, kryevezirët, guvernatorët dhe duke përfunduar me njerëzit e thjeshtë të njohur si reaya.
Shënime
[1] Shkëputje nga punimi im i publikuar në revisten Studime Orientale, Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Filologjisë - Departamenti i Orientalistikës, nentor 2023, nr 7.
[2] Gjatë hulumtimeve tona, kemi vënë re se në shumë gjuhë të botës krahas shprehjes “fondacion” është përdorur edhe shprehja “vakëf”. Si rezultat, për të dhënë shpjegimin më të mirë të mundshëm në këtë punim, shprehjen “vakëf” do ta përdorim krahas shprehjes “fondacion”.
[3] Tempulli në të cilin nuk ka imam të rregullt dhe ku nuk falet namazi i xhumasë, në literaturën islame njihen vetëm si mesxhide.
[4] Është një dokument në të cilin janë shënuar detajisht qëllimi i themelimit të vakëfit dhe kushtet e funksionimit të tij.
[5] Një gjë që dua të theksoj është se gjatë hulumtimit tim në drejtorinë e lartpërmendur, nuk gjeta asnjë dokument që përmend themelimin e vakëfeve nga sulltanët në Kosovë. Kjo sugjeron që numri i përgjithshëm duhet të jetë shumë më tepër se 56 kur të gjenden edhe vakfijet e tyre.
[6] Fatkeqësisht, nuk kemi dokumentacion që mund të na kishte dhënë informacion të hollsishëm në lidhje me vakëfet që gjeneronin të ardhura materiale.
[7] I referohet ligjit të Shtetit Osman përmes së cilit zaptohej një pjesë ose e tërë pasuria e paluajtshme e fituar nga zyrtarët e qeverisë pas largimit të tyre nga pozita.
[8] Fshatin nuk kemi arritur ta lokalizojmë.
Ju pëlqeu artikulli? Ndajeni me të tjerët.


