Shkrimi i gjuhës shqipe me alfabet osman
Si u shkrua shqipja me shkronja arabo-osmane edhe pas Kongresit të Manastirit: abetarja “Elif Baja Shkip” e myftiut Rexhep Voka, me faqe origjinale nga arkivi i Stambollit.
7 min lexim

Meqenëse gjuha shqipe nuk kishte një alfabet të njësuar, me shekuj është shkruar me alfabete të ndryshme. Vetë zhvillimet historike, shoqërore e fetare ndikuan që gjuha jonë të shkruhej me shkronja të veçanta, duke përfshirë përdorimin e alfabetit grek, arab, latin, etj.
Fundi i shekullit 19-të dhe fillimi i shekullit 20-të shënon një rritje të përpjekjeve për hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Një ndër të parët që dha kontribut në këtë drejtim ishte Teodor Haxhifilipi, alfabeti i të cilit kapërcente 50 shkronja. Pastaj ishte Naum Veqilharxhi, i cili në vitin 1845 shkroi abetaren e parë të gjuhës shqipe. Edhe Hasan Tahsini ndoqi të njejtën rrugë, duke hartuar një alfabet të veçantë në vitin 1874. Përpjekjet vazhduan edhe në fillimet e shekullit të 20-të. Një ndër momentet që la gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë ishte Kongresi i Manastirit, i mbajtur në nëntor të vitit 1908. Në këtë kongres u paraqiten tri alfabete: “Alfabeti i Stambollit”, “Bashkimi” dhe “Agimi”. Në fillim u pranuan dy alfabete: “Alfabeti i Stambollit” dhe “Alfabeti Latin”. Mirëpo duhët të cekim se një gjë të tillë e kundërshtonin me ngulm një numër i madh i shqiptarëve të besimit Islam, shumica e të cilëve vinin nga Vilajeti i Kosovës, të cilët largimin nga alfabeti arabo-osman e shihnin si largim dhe tradhti ndaj fesë Islame. Pas kësaj, Hyqymeti (Pushteti Osman) mori vendim që në Kosovë të lejohej përdorimi i alfabetit osman. Ky vendim vlente vetëm për Vilajetin e Kosovës, pasi që në vilajetet tjera të banuara me shqiptar filloi të përdorej lirshem alfabeti latin. Përballë këtij zhvillimi nuk duhet harruar edhe qendrimin e Perandorisë Osmane, i cili nuk ishte armiqësor. Krejt ndryshe nga sa është menduar dhe është thënë, ajo e mbështeti këtë nismë, ndërsa vetë Sulltan Abdulhamidi II e ndihmoi Kongresin e Manastirit me 100 lira osmane.
Pas këtyre zhvillimeve, figura të njohura shqiptare filluan të kontribuojnë në hapjen e shkollave dhe në shkrimin e gjuhës shqipe me alfabetin latin. Ndërsa disa të tjerë vazhduan të kontribuojnë për zhvillimin e mëtejshëm dhe për shkrimin e gjuhës shqipe me alfabetin osman. Njëri prej tyre ishte myftiu i Manastirit, Rexhep Xhudi bin Nureddin Voka (Rexhep Voka), i cili ishte me origjinë nga Tetova. Duke përdorur alfabetin arabo-osman, ai hartoi një alfabet të veçantë për gjuhën shqipe. Ai jo vetëm hartoi alfabetin por shkroi edhe një abetare, të cilën e quajti “Elif Baja Shkip”. Botimi i parë daton në H. 1324 (1906/7) dhe përbëhet nga 38 faqe. Ndërsa botimi i dytë daton në H. 1328 (1910/11). Botimi i dytë përbëhet nga gjithsej 22 faqe dhe ka përmasa 18x12 cm. Që dy botimet gjenden në Arkivin “Atatürk Kitaplığı” në Stamboll. Botimi i dytë jep një përmbledhje më koncize, ofron shpjegime më të hollësishme dhe shërben si dëshmi se gjuha shqipe vazhdoi të shkruhej me alfabetin osman edhe pas Kongresit të Manastirit.
Si ilustrim, do të nxjerrim diçka nga ky libër, duke filluar me shkronjat, dhe më pas të vazhdojmë të paraqesim disa pjesë të tekstit origjinal. Në fillim të librit, autori jep sqarime rreth katër zanorëve (ا, ه, و, ی), të cilat ndryshe nga gjuha osmane, ku shkronjat zakonisht shqiptohen vazhdimisht njësoj, në gjuhën shqipe, shqiptimi mund të ndryshojë në varësi të fjalës. Për shembull, zanorja (ا) zakonisht shqiptohej si një ‘a’ e gjatë, ndërsa zanorja (ه) mund të lexohej ose si ‘e’ ose si ‘a’ e shkurtër, në varësi të kontekstit. Zanorja (و) shqiptohej si ‘u’ kur shoqërohej me një shenjë në formë kapele sipër saj, por si ‘o’ kur një shenjë në formë presje ishte vendosur poshtë saj. Së fundi, shkronja (ی) shqiptohej si një ‘i’ e gjatë, ndërsa autori futi një shkronjë tjetër për ‘i’-në e shkurtër, pa dhënë shpjegime në fillim të librit. Më pas, autori jep shpjegime për shkronjat që mungojnë në alfabetin osman, gjithsej dhjetë, të cilat autori i shpiku për të plotësuar alfabetin e gjuhës shqipe. Këtë do ta sqarojmë më tej në pjesët vijuese duke përdorur shembuj konkretë nga libri.
Më pas, autori jep sqarime gramatikore dhe diskuton disa dallime midis gjuhës shqipe dhe asaj osmane. Për shembull, në gjuhën shqipe mund të ndodhen 2-3 bashkëtingëllore radhazi, si në fjalët ‘mbrapa’, ‘mbas’, ‘mbanë’ etj., gjë që nuk është e mundur në osmanisht.
Pjesën e dytë të librit autori e nis me titullin “Elif Baja Shkip”. Pas prezantimit të alfabetit arab, i përbërë nga gjithsej 29 shkronja, autori i informon lexuesit edhe për alfabetin osman, i cili përfshin 5 shkronja shtesë të shtuara në 29 shkronjat e alfabetit arab. Në fund, autori paraqet alfabetin e shqipes, i cili përbëhet nga 46 shkronja.




Pas alfabetit, autori thellohet në rregullat e përgjithshme gramatikore, duke diskutuar për shkronjat me pika dhe ato pa pika. Për të ndihmuar të kuptuarit dhe për të lehtësuar leximin, autori jep shembuj të ndryshëm për secilën shkronjë.
Në pjesën e fundit të librit është një fjalorth i ndarë në disa pjesë. Për qëllime ilustrimi, do të ofrojmë disa shembuj nga teksti origjinal së bashku me transkriptimin e tij, duke ruajtur rendin dhe artikulimin e paraqitur nga autori.

“Shipe, lejlek, ‘i palexueshëm’, ‘i palexueshëm’, sorr, pllum, fëllaz, çiçe, ndalldishe, skifter, ‘i palexueshëm’”.



Emrat e muajve janë dhënë në tri gjuhë: në kolonën e parë nga e djathta, muajt janë dhënë në gjuhën “arabisht”; në kolonën e mesme, muajt janë shkruar në gjuhën “shkip”; kurse në kolonën e tretë muajt janë paraqitur në gjuhën “rumisht” (greqisht).
Ne do të ofrojmë vetëm transkriptimin e muajve të shkruar në gjuhën shqipe. Kalendari fillon me muajin mars dhe mbaron me muajin shkurt.
Mars
Pril
Maj
Kershor
Korik
Gusht
Veshtepar
Veshtedit
Veshtetret
Shënëndëre
Kalnur
Shkurt
Në fund do të paraqesim një fragment të shkurtër nga teksti me titull “mëqim” (mënqur), në të cilin autori prezanton fjalë të reja, duke demonstruar se si shkruhen dhe shqiptohen në gjuhën shqipe.

“Ni motmot sa muj asht. Dimëdhet muj asht. Ni muj sa jav asht. Katër jav asht. Ni jav sa dit asht. Shtat dit asht. Ni dit sa saat asht, ni nat e ni dit nizetekatër saat asht. Ni saat sa dakika asht. Gjashtdhet dakika asht. Ni dakik sa sanije(sekonda) asht. Gjashtdhet sanije asht. Ni sanije sa’ asht. Sa tue çel e tue mërrshel syt(ë) ni koh asht.”
Ju pëlqeu artikulli? Ndajeni me të tjerët.


