Kalo te përmbajtja
Historike
Histori Osmane

Krijimi i Vilajetit të Kosovës

Si lindi Vilajeti i Kosovës më 29 janar 1877, cilët sanxhaqe e përbënin dhe si ndryshuan kufijtë e tij sipas “Kamus’ul-Alam” të Sami Frashërit.

Fahri Avdija

3 min lexim

Hartë osmane e Vilajetit të Kosovës me sanxhaqet e tij
Harta osmane e Vilajetit të Kosovës (Kosova Vilâyeti), në shkallën 1:1.500.000.

Shekulli i nëntëmbëdhjetë dëshmoi reforma të rëndësishme brenda Perandorisë Osmane, të cilat ishin të nxitura si nga presioni i jashtëm i Fuqive të Mëdha, ashtu edhe nga motivimet e brendshme. Më 1812, Sulltan Mahmudi II nisi përpjekjet për të vendosur autoritetin qendror, ndërsa përballë kishte fisnikët dhe pashallarët vendas. Deri në vitin 1826, më qëllim të formimit të një ushtrie të re, ai zbatoi reforma, duke krijuar provinca të njohura si Müşiriyet (Myshirijet) të qeverisur nga myshirët (marshallët), të cilët zotëronin autoritet të konsiderueshëm ushtarak dhe financiar. Shpallja e Tanzimatit e vitit 1839 riformësoi më tej qeverisjen, duke i transferuar çështjet financiare prodhuesve të pavarur. Kështu, autoriteti i marshallëve u kufizua në detyrën e rendit dhe sigurisë publike. Ndikimet perëndimore çuan në transformime të mëtejshme, duke përfshirë krijimin e këshillave administrative për të ndarë përgjegjësitë e guvernatorëve dhe riorganizimin e ejaleteve në vilajete në vitin 1864. Si rezultat i këtyre reformave, në trojet e banuara me shqiptarë u krijuan këto vilajete: Vilajeti i Shkodrës, Vilajeti i Shkupit, Vilajeti i Manastirit dhe Vilajeti i Prizrenit. Ndërsa Vilajeti i Kosovës u krijua me 29 janar 1877 (14 Muharrem 1294). Vilajeti i Kosovës brenda kufijve të tij fillimisht përfshinte Sofjen, Nishin dhe Prishtinën. Megjithatë, pas Luftës Ruso-Osmane të viteve 1877-1878, disa qytete të tjera u inkorporuan në territorin e saj. Këto ndryshime kufitare janë shpjeguar nga Shemseddin Sami Frashëri në Kamus’ul-Alam si vijon: “Vilajeti i Kosovës, me qendrat administrative në Sofje, Prishtinë dhe Nish, u krijua para Luftës Ruso-Turke (1877-1878). Pas luftës, qendra administrative u zhvendos në Prishtinë dhe Jeni Pazari u përfshi në vilajet. Më pas, Sanxhaku i Prizrenit, duke u shkëputur nga Vilajeti i Manastirit, u bashkua me Vilajetin e Kosovës. Më në fund Peja me rrethinë mori statusin e sanxhakut dhe iu bashkua Vilajetit të Kosovës. Rrjedhimisht, qendra administrative e Vilajetit u zhvendos në Shkup.”

Vilajeti i Kosovës, i cili funksiononte si njësi territoriale dhe administrative brenda Perandorisë Osmane, përfshinte qytete të shumta që aktualisht ndodhen përtej Kosovës, duke mbuluar një sipërfaqe të përafërt prej 32,000 km². Kufizohej me Austro-Hungarinë, Serbinë, Malin e Zi, Bullgarinë, Vilajetin e Shkodrës, Vilajetin e Manastirit dhe Vilajetin e Selanikut. Shikuar nga struktura administrative, ai përbëhej nga Sanxhaku i Prishtinës, Sanxhaku i Shkupit, Sanxhaku i Prizrenit, Sanxhaku i Jeni Pazarit dhe Sanxhaku i Dibrës. Me kalimin e kohës, kufijtë territorialë të Vilajetit të Kosovës kanë pësuar ndryshime, herë duke u zgjeruar e herë duke u tkurrur. Ky transformim dinamik është i dukshëm në Kamusu’l-Alam, ku Shemseddin Sami Frashëri shkruan se në vitin 1896, Vilajeti i Kosovës përbëhej nga gjashtë sanxhaqe; Sanxhaku i Shkupit me kazatë: Shkup, Kaçanik, Ishtip, Koçanë, Orhanije, Kratovë, Kumanova, Radovishte dhe Pallanka; Sanxhaku i Prishtinës me kazatë: Prishtinë, Vushtrri dhe Mitrovicë; Sanxhaku i Prizrenit me kazatë: Prizren, Tetovë dhe Luma; Sanxhaku i Pejës me kazatë: Pejë, Gjakovë, Guci, Berane dhe Tregovishte; Sanxhaku i Jeni Pazarit me kazatë: Jeni Pazar, Jeni Varosh, Kolashin dhe Akova; dhe Sanxhaku i Tashllëxhes me kazatë: Tashllëxha dhe Prepol.

Organizimi administrativ i Vilajetit të Kosovës

SanxhakuQendra administrativeQytetet
Sanxhaku i ShkupitShkupiShkup, Kaçanik, Ishtip, Koçanë, Orhanije, Kratovë, Kumanovë, Radovishte dhe Pallanka
Sanxhaku i PrishtinësPrishtinaPrishtinë, Vushtrri dhe Mitrovicë
Sanxhaku i PrizrenitPrizreniPrizren, Tetovë dhe Luma
Sanxhaku i PejësPejaPejë, Gjakovë, Guci, Berane dhe Tregovishte
Sanxhaku i Jeni PazaritJeni PazariJeni Pazar, Jeni Varosh, Kolashin dhe Akova
Sanxhaku i TashllëxhasTashllëxhaTashllëxha dhe Prepol

Ju pëlqeu artikulli? Ndajeni me të tjerët.

Histori Osmane

Vrasja e konsullit rus në Mitrovicë

Si u kthye hapja e konsullatës ruse në Mitrovicë në një krizë diplomatike, nga rezistenca e Isa Boletinit deri te plumbi që vrau konsullin Sherbina në pranverën e vitit 1903.

Fahri Avdija